Në Izrael, Komanda e Frontit të Brendshëm ka udhëzuar banorët në të gjithë vendin të qëndrojnë pranë hapësirave të mbrojtura, raporton BBC.
Një sulm tjetër nga Irani pritet sonte.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka publikuar një tjetër video, kësaj here duke folur në anglisht dhe duke iu drejtuar, siç duket, publikut amerikan.
Ai fillon duke i uruar ditëlindjen Donald Trump-it, më pas nderon ushtarët dhe ushtaret amerikane që, sipas tij, kanë “mbrojtur lirinë” për 250 vite.
Netanyahu thotë se ushtria izraelite po ashtu po “mbrojn lirinë” në Lindjen e Mesme kundër asaj që ai e quan një regjim iranian “tiranik”.
“Armiku ynë është armiku juaj. Dhe duke bërë atë që po bëjmë, ne po përballemi me diçka që do të na kërcënojë të gjithëve herët a vonë,” thotë ai.
Ai gjithashtu pretendon, pa ofruar prova, se nëse Izraeli nuk do të kishte vepruar, Irani do të kishte armatosur aleatët e tij – si Hezbollah dhe Hamas – me armë bërthamore.
“Kjo është ajo që Izraeli po bën me mbështetjen e qartë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe popullit amerikan, si dhe shumë të tjerëve në botë,” shton ai.
Shtëpia e Bardhë fillimisht u përpoq të distancohej nga sulmi i Izraelit ndaj Iranit, por më vonë e mbështeti hapur atë, me Trump-in që e quajti “të shkëlqyer”.