Fjalimi i shumëpritur i Kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu në sallën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara siç edhe pritej zhgënjeu një numër të madh delegatësh të cilët u larguan nga salla.
Në fjalimin e tij, Benjamin Netanyahu nis një sulm shumë të ashpër ndaj Kombeve të Bashkuara, duke e quajtur atë një “kënetë antisemite” dhe një “shoqëri anti-izraelite”. Netanyahu shfrytëzoi rastin për të denoncuar vendimin e kryeprokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për urdhër arresti kundër tij dhe ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant.
“Zonja dhe zotërinj, kriminelët e vërtetë të luftës nuk janë në Izrael. Ata janë në Iran. Ata janë në Gaza, në Siri, në Liban, në Jemen. Ata prej jush që qëndrojnë me këta kriminelë, ata prej jush që qëndrojnë me të keqen kundër së mirës, me mallkimin kundër bekimit, ata prej jush që e bëjnë këtë duhet të kenë turp për veten tuaj”, tha Benjamin Netanyahu, Kryeministër i Izraelit, shkruan A2 CNN.
Netanyahu kërcënoi në mënyrë të drejtpërdrejtë Iranin se nëse tentojnë të sulmojnë Izraelin atëherë ata do të shkatërrojnë Teheranin. Izraeli nuk ka “zgjidhje” veçse të luftojë kundër Hezbollahut, për sa kohë që grupi militant kërcënon Izraelin nga baza e tij në Liban, tha Benjamin Netanyahu. Shefi i qeverisë izraelite Netanyahu solli me vete edhe dy harta, ku tha se bota zgjedh midis një “bekimi” dhe një “mallkimi”. Në qendër të zgjedhjes ishte armiku kryesor rajonal i Izraelit: Irani.
“Kjo është harta që paraqita këtu vitin e kaluar. Është një hartë bekimi. Ajo tregon Izraelin dhe partnerët e tij Aran që formojnë një urë tokësore që lidh Azinë dhe Evropën midis Oqeanit Indian dhe Detit Mesdhe. Përtej kësaj ure do të vendosim linja hekurudhore, tubacione energjie, kabllo me fibra optike dhe kjo do t’i shërbejë përmirësimit të dy miliardë njerëzve. Tani shikoni këtë hartë të dytë. Është një hartë e një mallkimi që Irani ka krijuar dhe imponuar nga Oqeani Indian deri në Mesdhe, ka mbyllur rrugët ujore ndërkombëtare Nga njëra anë, një bekim i ndritshëm”, tha Benjamin Netanyahu, Kryeministër i Izraelit, shkruan A2.
Kryeministri izraelit përsëriti se “Hamasi duhet të largohet” nga Gaza, sepse nëse mbetet “ai do të jetë në gjendje të riorganizohet dhe të sulmojë përsëri Izraelin siç ka premtuar të bëjë”.