Gjigandi botëror i transmetimit televiziv, Netflix, ka ndërprerë çdo projekt të lidhur me Rusinë për të ardhmen, deri në një çast të dytë.
Sipas medias amerikane Variety, vendimi ka ardhur pas ngjarjeve të fundit të përcjella në Ukrainë, ku Rusia po kërkon të mësyjë vendin dhe të rrëzojë Qeverinë.
Rusia nuk është ndër vendet më të njohura për prodhimin e kinematografisë. Megjithatë, rusët kishin katër projekte madhore, të cilët do të transmetoheshin në Netflix. Por, tashmë, ato janë pezulluar.
Në tërësi, janë rreth 1 milionë të abonuar në Netlix nga Rusia. Megjithatë, nuk bëhet e qartë nëse ky vendim përfshin edhe pezullimin e abonimeve të tyre.
Gjatë gjithë javës, ka pasur të tilla vendime nga kompani shumë të mëdha në të gjitha fushat. Këtu, përfshihet edhe kinematografia, pasi në tërësi, industria e Hollywood-it, ka ndërprerë çdo lloj lidhje me Rusinë, duke bojkotuar edhe shfaqjen e filmave në kinema. /Gazeta Enigma/.