Futbollisti brazilian, Neymar ka arritur sot në Gjykatën e Barcelonës, ku do të duhet t’i përgjigjet disa pyetjeve në lidhje me përvetësimin e supozuar gjatë transferimit të tij nga Santosi te klubi katalunas në vitin 2013.
Një gazetar i “France Press” ka raportuar se 30-vjeçari që luan sot në PSG është shoqëruar nga prindërit e tij.
Edhe prindërit e Neymarit janë të përfshirë në këtë çështje.
Prokuroria ka kërkuar dy vjet burg për Neymarin dhe dhjetë milionë euro gjobë për korrupsion.
Përpos Neymarit dhe prindërve të tij, janë duke u akuzuar edhe dy ish-presidentët e Barcelonës, Sandro Rosell dhe Josep Maria Bartomeu.
Gjyqi i Neymarit nisi një muaj para fillimit të botërorit në Katar dhe pritet të zgjasë deri më 31 tetor.
Kompania braziliane e investimeve “DIS”, në atë kohë mbajtëse e 40 përqind të të drejtave të futbollistit, e çoi çështjen në gjykatë në vitin 2015.
Ajo kompani beson se ishte dëmtuar në transferimin e sulmuesit, pasi Barcelona fillimisht e llogariti çmimin e tij në 57.1 milionë euro (40 milionë për Neymar dhe familjen e tij dhe 17.1 për Santosin), andaj drejtësia spanjolle vlerëson se marrëveshja kushtoi të paktën 83 milionë euro.
Kompania, e cila mori 6.8 milionë euro nga 17.1 të paguara zyrtarisht për klubin brazilian, pretendon se Barcelona, Neymar dhe më pas Santos komplotuan për të fshehur shumën e vërtetë të operacionit dhe se e “mashtruan” atë.
Prandaj, ajo kompani pretendon 35 milionë, të cilat beson se i ka humbur në atë rast.
Nga ana e tyre, avokatët e Neymarit pretendojnë se klienti i tyre nuk ka kryer asnjë krim.
Në vitin 2017, Neymar u transferua nga Barcelona te Paris Saint-Germain