Nga 1 janari i 2024-tës, qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen.
Por, janë edhe disa rregulla që duhet të respektohet gjatë udhëtimit për në vendet evropiane.
Për shembull, në momentin e arritjes në pikën e parë kufitare, kosovarët duhet të prezantojnë edhe disa dëshmi, e njëra nga ato është edhe aspekti financiar, që varet nga dy faktorë:
1) Nga numri i ditëve që do të qëndrojnë dhe shteti të cilin e vizitoni dhe
2) Nga ajo nëse do të qëndrojnë në akomodim me pagesë si hotel/apartment apo tek të afërmit.
Nëse qytetarët deklarojnë se do të qëndrojnë tek të afërmit duke ofruar adresën dhe kontaktin e tyre, varësisht se cilin shtet e vizitojnë, shuma e mjeteve është rreth 30 deri në 50 euro në ditë për person.
Nëse ata deklarojnë se do të qëndrojnë në një hotel apo apartment apo çfarëdo akomodimi tjetër me pagesë, varësisht se cilin shtet e vizitojnë, shuma e mjeteve që duhet të ofrohen si dëshmi financiare është rreth 50 dhe 100 euro në ditë për person.
Akomodimi nga miqtë apo familjarët mund të verifikohet duke kontaktuar drejtpërdrejtë mikëpritësin me telefon ose duke verifikuar adresën e tyre përmes policisë.
Derisa, verifikimi i mjeteve të mjaftueshme financiare mund të bëhet në disa forma duke kërkuar që të tregohen para të gatshme (cash), kartelë bankare, kartë krediti, letër konfirmimi nga një konferencë apo seminar që mbulon shpenzimet për akomodim e ushqim, dëshmi për pagesën e hotelit apo çfarëdo konfirmimi a dëshmie tjetër për kostot tuaja gjatë udhëtimit.
Çdo shtet i Shengenit përcakton shumën; ju lutemi konsultoni faqen e internetit të shteteve anëtare të zonës Shengen të cilat planifikoni ti vizitoni, shkruan Integrimi Evropian i Kosovës përcjell Klankosova.tv
Pra, shuma ditore dallon nëse vizitoni Greqinë, Kroacinë apo nëse vizitoni Zvicrën apo Norvegjinë.