Kompania ajrore GP Aviation e emëruar nga Republika e Kosovës fillon fluturimet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës nga data 24 qershor në destinacionet Prishtinë – Cyrih dhe Prishtinë – Bazel, kurse nga data 3 korrik në destinacionin Prishtinë – Gjenevë, raporton Enigma.
Autoriteti i Aviacionit Civil ka njoftuar se për herë të parë Kosova po realizon zgjerimin e rrjetit të rrugëve ajrore ndërkombëtare me fluturime shtesë nga Kosova për në Zvicër.
“Procesi i përzgjedhjes së operatorit ajror të emëruar është zhvilluar në mënyrë transparente përmes publikimit të shprehjes së interesit me kritere specifike për ofrimin e shërbimeve ajrore për publikun në përputhje me marrëveshjen bilaterale në mes të Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Helvetike” thuhet në njoftimin e Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës.
“Ky është një lajm shumë i mirë për Kosovën, për diasporën tonë në Zvicër, për qytetarët e Zvicrës dhe të Kosovës, sepse janë krijuar mundësi më të mëdha të udhëtimit dhe me bileta më të lira në mes të të dyja shteteve. Ky zhvillim është pjesë e objektivave dhe strategjisë më të gjerë të AAC-së dhe qeverisë së Republikës së Kosovës për të zgjeruar rrjetin e saj ndërkombëtar të rrugëve ajrore dhe për të ofruar më shumë mundësi udhëtimi për qytetarët e Kosovës”.
Njoftimi i plotë:
Kompania ajrore GP Aviation e emëruar/dezignuar nga Republika e Kosovës fillon fluturimet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës nga data 24 qershor në destinacionet Prishtinë – Cyrih dhe Prishtinë – Bazel, kurse nga data 3 korrik në destinacionin Prishtinë – Gjenevë
Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës ka kënaqësinë të njoftojë publikun se për herë të parë Kosova po realizon zgjerimin e rrjetit të rrugëve ajrore ndërkombëtare me fluturime shtesë nga Kosova për në Zvicër përmes një operatorit ajror të BE-së të emëruar për shërbime të transportit ajror sipas kritereve dhe kushteve në interes të publikut dhe qytetarëve të të dyja vendeve, duke ofruar orar të rregullt të fluturimeve dhe çmime konkurruese, si dhe zhvillimin e konkurrencës së drejtë në tregun e shërbimeve ajrore ndërmjet dy shteteve.
Procesi i përzgjedhjes së operatorit ajror të emëruar është zhvilluar në mënyrë transparente përmes publikimit të shprehjes së interesit me kritere specifike për ofrimin e shërbimeve ajrore për publikun në përputhje me marrëveshjen bilaterale në mes të Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Helvetike.
Pas procesit të aprovimit të planit të fluturimeve nga ana e autoriteteve zvicerane, operatori ajror i emëruar “GP Aviation” ka arritur të organizojë fillimin e shërbimeve ajrore nga data 24 qershor 2024 në destinacionet Prishtinë – Cyrih, Prishtinë – Bazel dhe anasjelltas, si dhe nga data 3 korrik 2024 në destinacionin Prishtinë – Gjenevë dhe anasjelltas.
Ky është një lajm shumë i mirë për Kosovën, për diasporën tonë në Zvicër, për qytetarët e Zvicrës dhe të Kosovës, sepse janë krijuar mundësi më të mëdha të udhëtimit dhe me bileta më të lira në mes të të dyja shteteve. Ky zhvillim është pjesë e objektivave dhe strategjisë më të gjerë të AAC-së dhe qeverisë së Republikës së Kosovës për të zgjeruar rrjetin e saj ndërkombëtar të rrugëve ajrore dhe për të ofruar më shumë mundësi udhëtimi për qytetarët e Kosovës.
AAC-ja mbetet e përkushtuar që gjithnjë të shtyjë zhvillimin e aviacionit civil në shërbim të qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik të vendit, me synimin që në një të ardhme të afërt të kemi edhe një kompani ajrore vendore për ofrimin e shërbimeve ajrore për qytetarët tanë.