I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, tha në një takim me përfaqësuesit e opozitës në Serbi se BE-ja dëgjoi se cilat janë vijat e kuqe të Serbisë në lidhje me një marrëveshje të mundshme me Prishtinën, shkruan Nova.rs.
Gjegjësisht, Lajçak i tha opozitës se presidenti Aleksandar Vuçiq u ka thënë kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron se “vijat e kuqe” të Serbisë janë anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe njohja e pavarësisë së Prishtinës.
Përveç kësaj, Lajçak prezantoi edhe nenin 4 të propozimit evropian, në të cilin kërkohet nga Serbia që të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Prishtinës në OKB. Këto janë pritshmëritë e zyrtarëve evropianë, për të normalizuar marrëdhëniet mes dy palëve.
Siç u shpjegua më herët, Serbia me nënshkrimin e marrëveshjes do të merrte përsipër të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, që do të thotë edhe në Kombet e Bashkuara.
Mirëpo, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një paraqitje në RTS tha se nuk do të nënshkruajë anëtarësimin e Kosovës në OKB.
“Ne jemi duke bërë një plan zbatimi, prandaj Lajçak do të vijë këtu dhe në Prishtinë. Unë jam gati të negocioj për çdo gjë tjetër, por këtë (Kosova në OKB) nuk do ta nënshkruaj… E përsëris se nuk do të marr pjesë në zbatimin e disa gjërave. Derisa jam president, nuk do të pranoj as njohjen formale e as joformale të Kosovës dhe hyrjen e saj në OKB. Dhe pas meje shikoni se çfarë do të bëni”, deklaroi ai.