Nga Gjilani në majat e futbollit: Rrëfimi emocional i Shaqirit për jetën, suksesin dhe identitetin

Nga Gjilani në majat e futbollit: Rrëfimi emocional i Shaqirit për jetën, suksesin dhe identitetin

Superylli i Baselit, Xherdan Shaqiri, ka rrëfyer në një intervistë për “Blue Sport” rrugëtimin e tij jetësor dhe sportiv, nga fëmijëria e vështirë në një fermë pa ngrohje në Zvicër, e deri te ëndrra që dëshiron ta përmbushë – fitimin e titullit me FC Basel si kapiten.

Në këtë rrëfim të sinqertë, ai flet për karakterin e tij, përkushtimin, popullaritetin dhe përvojat e shumta në futbollin ndërkombëtar.

“Fëmijëria ime më ka formuar shumë. Të gjithë kemi lindur në Kosovë, përveç motrës sime. Ne patëm një fëmijëri të vështirë dhe u rritëm në një shtëpi të vjetër – pa ngrohje të mirë. Kjo pati një ndikim të madh tek unë. Nëse keni shumë gjëra sot, kjo ju ndihmon të qëndroni në tokë”, rrëfen fillimisht Shaqiri.

I lindur në Gjilan dhe i rritur në Augst të Zvicrës pas zhvendosjes së familjes në vitin 1992, Shaqiri është mishërim i dy kulturave – asaj shqiptare dhe zvicerane. “Në fushë, padyshim jam shqiptari i pasionuar – me emocione. Megjithatë, në jetën e përditshme jam shumë zviceran: i përpiktë, i besueshëm. Mendoj se i kombinoj të dyja mentalitetet”, shprehet ai.

Shaqiri e kishte ëndërr të luante në stadiumin e Baselit – “Joggeli”. Ai kujton me emocione kohën kur si i ri shiste broshura para ndeshjeve, duke shikuar çdo ndeshje që nga fillimi i viteve 2000. “Të luaja vetë aty ishte një ëndërr e realizuar”, thotë ai.

Pavarësisht suksesit dhe luksit, Shaqiri thekson se shëndeti është gjëja më e rëndësishme për të. “Luksi është i këndshëm, por për mua shëndeti është më i rëndësishëm. Unë jam një person me këmbë në tokë – si familja ime. Më pëlqen të jetoj afër realitetit”.

Përfaqësuesi i Zvicrës, me 125 paraqitje dhe 32 gola, është lojtari i vetëm që ka shënuar gola në gjashtë turne të mëdha radhazi – tre Botërorë dhe tre Evropianë. Golat ndaj Serbisë në Kupat e Botës 2018 dhe 2022 i siguruan një vend të veçantë në zemrat e tifozëve shqiptarë.

Në aspektin sportiv, ai ka qenë vendimtar për Baselin këtë sezon. Me 14 gola dhe 17 asistime në 29 paraqitje, Shaqiri po udhëheq skuadrën drejt titullit kampion, pas një pritjeje të gjatë që nga viti 2017.

“Ëndrra ime më e madhe dhe qëllimi im është një titull me FC Basel si kapiten,” shprehet ai, ndërsa Baseli tashmë ka siguruar vendin e parë në sezonin e rregullt dhe gjendet në gjysmëfinale të Kupës së Zvicrës, ku përballet me Lausannen.

Shaqiri tregon se edhe sot, në çdo cep të botës ku shkon, njihet nga tifozët. “Kam shënuar një hat-trick kundër Hondurasit, dhe tani më njohin atje. Kjo ndodh shpesh. Kam luajtur në të gjithë botën – njerëzit më njohin,” thotë ai me buzëqeshje.

Ai kujton se si ka humbur shumë gjatë rrugës së tij, përfshirë edhe daljet me shokët e shkollës, për shkak të ndeshjeve. Por këto sakrifica ia kanë vlejtur, sepse ai ndjek ende ëndrrën për sukses me klubin e zemrës. “Suksesi vjen nga i gjithë ekipi – jo vetëm nga unë. Dua të udhëheq të rinjtë, të jap përvojë dhe të ndikoj pozitivisht në klub. Qëndrueshmëria është çelësi”, deklaroi ai.

Në fund, i pyetur për ëndrrën më të madhe – ai nuk ngurron: “Po, kjo është ëndrra ime më e madhe dhe qëllimi im – të fitoj një titull me FC Basel si kapiten”.

Ai dhe klubi janë në rrugë të mirë për ta bërë këtë ëndërr realitet.

Related Articles