Detaje të reja kanë dalë nga dosja hetimore e Prokurorisë së Posaçme për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani që çoi pas hekurave Jamarbër Malltezin dhe iu caktua masa ‘detyrim paraqitje’ ish-Kryeministrit Sali Berisha, nën akuzën për korrupsion.
E njëjta masë u caktua edhe për ndërtuesin Fatmir Bektashi.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me akuzat që rëndojnë mbi ta ndërsa bën me dije sse Malltezit, dhëndrit të Berishës i janë sekuestruar 16 pasuri.
“Mbështetur në kërkesën datë 15.10.2023 të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin me nr. 410 datë 20.10.2023, ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për 16 (gjashtëmbëdhjetë) pasuri të paluajtshme në pronësi të shtetasit J. M., 6 (gjashtë) llogari bankare (në euro, dollarë dhe lek) në emër të shtetasit J. M., si dhe kuotat e kapitalit themeltar në pronësi të shtetasit J. M. në shoqëritë “Homeplan” shpk (45% e kuotave), “Magnet IMO” shpk (100% e kuotave) dhe “Magnet Gym&Fit (60% e kuotave)“, njofton SPAK.