Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e ka nisur vizitën zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar me një takim me mërgatën shqiptare në Londër.
Në këtë takim, Kurti bashkëbisedoi me pjesëtarë të diasporës dhe mbajti një fjalë rasti, ku vuri theksin në rëndësinë e partneritetit të Kosovës me Britaninë e Madhe, i cili, sipas tij, është ndërtuar mbi shtylla të forta si bashkëpunimi në mbrojtje dhe siguri, zhvillimi ekonomik dhe diplomacia.
“Ky partneritet forcon lidhjet tona dypalëshe, nxit shkëmbimin e njohurive dhe kontribuon në paqe, stabilitet e mirëqenie të ndërsjellë,” u shpreh Kurti.
Ai foli edhe për të arriturat e qeverisë gjatë mandatit të fundit, duke përmendur katërfishimin e buxhetit për mbrojtje, trajnimin dhe pajisjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), rritjen ekonomike mesatare prej 6%, si dhe mbështetjen për qytetarët, prodhuesit vendorë dhe investimet nga Britania e Madhe.
Kurti vlerësoi lart rolin e diasporës në zhvillimin e vendit, duke theksuar programet konkrete të qeverisë për përfshirjen e saj, si Citizen Diplomacy Fellowship, që u mundëson profesionistëve nga diaspora të kontribuojnë në sektorin publik në Kosovë, dhe Dritarja e Investimeve të Diasporës, që ofron kredi pa kolateral për investime në atdhe.
Duke i ftuar mërgimtarët të vijnë dhe të investojnë në Kosovë, ai shprehu përkushtimin e Qeverisë për ta thelluar bashkëpunimin me diasporën dhe për të zhvilluar iniciativa të reja që i afrojnë edhe më shumë me vendin e tyre.
Në këtë ngjarje ishte i pranishëm edhe ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti.