Kryeministri Albin Kurti thotë se në qeverisjen e tij janë hapur mbi 25 mijë vende të reja të punës. Sipas Kurtit, rritja më e madhe e të punësuarve ka ndodhur si rezultat i pakos së ringjalljes ekonomike.
“Hekuran Murati e ka mirë, bile nuk janë 25 mijë por janë 25 mijë e 200. Prej shtatorit 2020 deri në shtatorin 2021 janë 25 mijë e 200 vende pune më shumë të regjistruara prej të cilëve 10 mijë janë si rezultat i pakos së ringjalljes ekonomike”, tha Kurti.
“Nga pakoja e ringjalljes ekonomike janë 10 mijë dhe aty është parapa edhe formalizimi, por gjithsej numri i shtuar i vendeve të punës nga shtatori 2020 deri më shtator 2021, dhe nuk kemi dashur të përfshijmë ciklin zgjedhor, se përgjithësisht kur ka zgjedhje në Kosovë, ka artificialisht disa vende pune shtesë. Pra realisht është më shumë se 25 mijë e 200 por ne po e heqim këtë shtimin artificial”, theksoi kryeministri në RTK.
Kurti tha se të punësuarit e rinj janë nga shumë sektorë.
“Në sektor të ndryshëm por unë po tregoj ku po rritet ekonomia më shumë prandaj besoj se aty janë. Një sektor që është rritur shumë është i TIK’ut, 60 për qind të produkteve janë për eksport, pastaj përpunimi i metaleve, përpunimi i drurit, përpunimi i lëkurës dhe tekstili po ashtu kanë pësuar rritje por rritje ka edhe agro-industria”, shpjegoi kryeministri.