Për 21 vjet në Kosovë ndodhën 1 mijë e 406 vrasje prej tyre 445 vrasje ende nuk janë ndriçuar dhe autorët e këtyre vrasjeve janë të lirë.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka mbajtur një tryezë virtuale në të cilën është prezantuar raporti “Trajtimi i vrasjeve në Kosovë”.
Hulumtuesja e IKD-së, Justina Frrokaj deklaroi se organet e drejtësisë nuk kanë treguar profesionalizëm në ndjekjen dhe gjykimin e rasteve të vrasjeve. IKD ka gjetur se në rastet e vrasjeve nuk ka një administrim të mirë të provave e cila rezulton më pas në dëmtimin e hetimeve. “Gjatë monitorimit janë hasur raste kur janë asgjësuar mjetet e kryerjes së veprave penale të vrasjeve gjë që ka pamundësuar edhe kryerjen e ekspertimeve të nevojshme në drejtim të zgjidhjes së rasteve”, ka thënë ajo.
Ndërsa hulumtuesja e IKD-së, Gzime Hashani ka thënë se është shqetësuese fakti që çdo e treta vrasje që ka ndodhur nga viti 2000 në Kosovë nuk është zbardhur.Ajo deklaroi se për ngritjen e cilësisë së hetimit dhe gjykimit të vrasjeve janë të nevojshme reformat në drejtësi. Kjo reformë, sipas saj, konsiston në nevojën për krijimin e një trupe të veçantë prokuroriale dhe gjyqësore për trajtimin e veprave penale të vrasjeve.
Ndërkaq prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Armend Hamiti deklaroi se këto të gjetura ndihmojnë sistemin e drejtësisë për të parë se ku janë gabimet në mënyrë që të përmirësohen “Në punën tonë kemi sfida tek këto raste sidomos kur dëmtohen provat në vendin e ngjarjes apo kur vrasja është kryer në mënyrë profesionale. Për prokurorinë është vështirë t’i identifikoj dhe që të merr të gjitha provat që i pandehuri të zbulohet dhe të përgjigjet para gjykatës”, tha Hamiti.
Gjatë kësaj tryeze virtuale, avokati Taulant Hodaj deklaroi se raporti ka evidentuar vështirësitë apo të metat për veprat penale të vrasjeve.“Drejtë është evidentuar fakti se në krahasim me veprat e tjera penale, zakonisht vrasjet kanë prioritet dhe trajtohen më shpejtë si nga prokuroria dhe gjykata, por ka raste që kanë marrë shumë vite dhe kjo nuk është në përputhje me standardin e një gjykimi të drejtë”ka thënë ai.
Sa i përket propozimit që të formohet një divizion i posaçëm për rastet e vrasjeve avokati Hodaj deklaroi se zgjidhja adekuate do të ishte një sistem efektiv i drejtësië, prokurorët dhe akterët e tjerë të kenë më shumë profesionalizëm, mbështetje dhe njerëz profesional.