Profesori universitar, Mazllum Baraliu, thotë se ndryshimet në lista, me disa tërheqje nga gara, janë përpjekje për ta anashkaluar dënimin nga populli, për bllokimin gati një vit të Parlamentit të Kosovës.
“Ka disa ndryshime. Disa njerëz kanë lëvizur, duke e parë që nuk ka rezultat duke qëndruar në këtë ulëse për disa mandate. E kanë parë që është mjaft dhe janë tërhequr. Pra një përpjekje për ta anashkaluar dhe arsyetuar bllokimin që e kanë shkaktuar në 9 muajt e fundit, pra në mënyrë që të mos ketë rënie”, deklaroi Baraliu për Gazetën Enigma.
“Tani shohim se edhe prurjet e reja që janë përpjekur t’i bëjnë, qëllimi i disa prej tyre është për ta kaluar pragun, e disa të tjerave për të fituar sa më shumë vota. Pra nuk shohim ndonjë orientim për të sjellë njerëz të dijes, të shkencës apo të profesionit, të cilët do ta ndihmonin Kuvendin për të avansuar në veprimtarinë e tij. Pra ta stabilizonin në kuptimin profesional dhe etik në zgjidhjen e çështjeve të ndryshme”, u shpreh tutje profesori universitar.
A do e kalojë Nisma pragun?
“Jo, nuk mendoj se Nisma do ta kalojë pragun”, tha Baraliu.
Por sipas tij, mund të ketë edhe parti të tjera që nuk do mund ta kalojnë pragun, duke mos përmendur emra.
“Kam një bindje se qytetari është jashtëzakonisht i zhgënjyer me këtë klasë politike. Dhe për ta argumentuar këtë nuk do të dalë në zgjedhje. Do ketë rënie në përqindje”.
Sa do i ndihmojë Ukë Rugova LDK-së?
Profesori universitar Baraliu thotë se kandidatura e Rugovës është “një përpjekje për ta përmirësuar imazhin para votuesve, kinse nga rruga e re, e cila ishte dështim i tyre total, po kthehemi në rrugën e Rugovizmit”.
“Të shohim se sa do ketë efekt kjo”, tha Baraliu.
