Nga fillimi i muajit shtator, kur edhe hyri në fuqi vendimi për ndërrimin e targave ilegale në ato RKS, pati edhe incidente me djegie veturash në veri.
Të gjitha veturat që u dogjën ishin me targa RKS çka edhe shton pikëpyetje se kjo është revoltë ndaj vendimit për targat, të cilin shumica e serbëve të Kosovës e kanë refuzuar në vazhdimësi.
Sipas zëdhënësit të policisë për Mitrovicën e Veriut, Besim Hoti, nga fillimi i shtatorit e deri sot, janë regjistruar pesë raste të djegies së veturave me targa RKS.
“Nga fillimi i shtatorit deri sot janë djegur katër vetura, pesë me rastin e mbrëmshëm”, ka thënë Hoti për Klankosova.tv.
Kujtojmë se dy vetura u dogjën javën e kaluar në Leposaviq pasi kishin konvertuar targat e tyre në RKS. Njëri rast ndodhi të mërkurën më 26 tetor e tjetri një ditë më pas, më 27 tetor.
Po ashtu në Zveçan, një qytetarit serb iu dogj një depo, pasi ai kishte riregjistruar veturën e djalit të vet.
Rasti i fundit ndodhi në Zubin Potok, mesnatën e së mërkurës, kur një veturë u përshi nga flakët, automjet ky që dyshohet të jetë i një gazetari serb.
Sot i dërguari i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se Shtetet e Bashkuara e dënojnë djegien ose shkatërrimin e pronës të çdo kujt dhe përpjekjet për të frikësuar ata që synojnë t’i marrin targat RKS.