Platforma për verifikim të fakteve Hibrid.info ka mbajtur të shtunën konferencë për media për trendet e reja të keqinformimit dhe parandalimit të tyre lidhur me zgjedhjet e 7 qershorit.
Në konferencën “‘Vaksinimi’ kundër keqinformatave gjatë zgjedhjeve” u prezantuan disa prej rreziqeve që mund të paraqiten gjatë fushatës zgjedhore në aspektin e keqinformimit. Po ashtu u prezantuan mënyrat e identifikimit dhe adresimit të tyre.
Hulumtuesit e Hibrid.info renditën disa prej formave të keqinformimit duke u bazuar në zgjedhjet paraprake dhe në periudhën e parafushatës aktuale.
Etrit Rexhepi tha se sondazhet e rreme në media sociale po shpërndahen masivisht. Ai tha se ato po përdoren për të manipuluar perceptimin publik. Sipas Rexhepit, synimi i këtyre sondazheve të rreme mund të jetë krijimi i një gjendjeje artificiale politike.
“Si përmbajtje të tilla publikohen shpesh, ka numër më të madh të trajtimeve nga organizata jonë dhe ka interaksion më të madh”, tha ai. “Pra, këto përmbajtje kur publikohen në rrjete sociale, gjenerojnë një interaksion më të madh nga përdoruesit e këtyre mediave sociale. Çka i karakterizon sondazhet e rreme? Janë mungesa e një metodologjie të qartë shkencore, pra nuk dihet burimi i realizimit të kësaj matje të opinionit publik, nuk dihet mostra që është përzgjedhur, vendi, edhe koha se kur është realizuar ky sondazh i pretenduar”, deklaroi Rexhepi.
Fenomen tjetër përbëjnë deklaratat e shpikura. Këtu hyn rikthimi i qëllimshëm i deklaratave të vjetra të politikanëve për t’i paraqitur ato si aktuale, duke krijuar konfuzion mbi qëndrimet e tyre sot. Po ashtu ka raste kur publikohen video të vjetra, nga një vend apo ngjarje që nuk lidhet me pretendimin, por paraqitet rrejshëm si dëshmi e një zhvillimi aktual për të keqinformuar publikun. Sipas Rexhepit, qëllimi i tyre është rritja e reputacionit për ndonjë kandidat të caktuar dhe të paraqitet realitet i rremë.
Ndërkaq hulumtuesi Festim Rizanaj tha se edhe inteligjenca artificiale po përdoret për keqinformim.
“Simulohen intervista me qytetarët, duke përdorur logo mediash. Në bazë të përmbajtjeve, personazhet e gjeneruara me inteligjencë artificiale, që nuk ekzistojnë, duke bërë deklarata dhe krijojnë narrativa të caktuara duke krijuar përshtypjen se po japin intervistë për media duke përkrahur një parti apo duke kritikuar një parti tjetër, apo qoftë për politikan të caktuar”, tha Rizanaj.
Në kuadër të keqinformimit nëpërmjet inteligjencës artificiale është edhe “Slop AI” që paraqet përmbajtje të cilësisë së ulët të prodhuar nga inteligjenca artificiale për të mbytur hapësirën informative me propagandë (slopaganda). Efekti i saj është zëvendësimi i debatit racional me spektakël emocional duke e transformuar figurën politike nga aktor institucional në personazh viral. Debati publik kthehet në meme apo argëtim dhe përdoret si propagandë me humor.
“Content Farms” është fenomeni tjetër i keqinformimit që merr hov në kohë zgjedhjesh. Këtu përfshihen faqe në media sociale që me tituj “clickbait” synojnë tërheqjen klikimeve dhe rritjen e pëlqimeve, komenteve apo shpërndarjeve.
Sa i përket ndikimit të jashtëm, Rizanaj tha se nga Serbia synohet të krijohen narrativa për mungesë të demokracisë dhe presion institucional ndaj komunitetit serb në Kosovë.
“Duke u munduar që t’i deligjitimojnë institucionet e Kosovës me idenë se këtu po shkaktohet terror institucional dhe arrestimet që po bëhen, si rasti i Graçanicës, t’i paraqesin si arrestime politike dhe për fushatë. Po ashtu, mundohen që ta deligjitmojnë procesin elektoral në Kosovë me idenë se këtu nuk ka zgjedhje demokratike dhe manipulimit zgjedhor përmes vjedhjes sistematike të votës në dëm të komunitetit serb”, tha Rizanaj.
Hibrid.info paralajmëron se pasoja të keqinformimit mund të jenë polarizimi në shoqëri që mund të sjellë ndarje të thella që pamundësojnë dialogun konstruktiv politik, deformimi apo zhvendosja e vëmendjeve nga programet te skandalet e fabrikuara dhe që mund të çojnë në fund në delegjitimin apo dëmtimin e besimit të qytetarëve te procesi zgjedhor.
Për t’u mbrojtur nga keqinformatat, Hibrid.info iu rekomandon verifikimin e burimit të çdo informacioni “sensacional”, të keni kujdes me titujt që nxisin emocione të forta, të krahasoni lajmet që i shihni me media kredibile dhe fact-checkers, të jeni skeptikë ndaj sondazheve pa autorësi të qartë dhe të rrisni vetëdijen për mundësitë e manipulimit me IA.
