Në vitin 2017, Çëndrim Kameraj ishte vetëm 18 vjeç kur u bashkua me Juventusin, duke mbërritur në Torino me ëndrra të mëdha dhe me shpresën për t’u bërë pjesë e një skuadre të mbushur me yje. Por tetë vite më vonë, karriera e tij mori një kthesë dramatike, larg dritave të stadiumeve dhe pranë realitetit të ashpër të jetës jashtë futbollit.
Ish-lojtari i talentuar, me origjinë shqiptare dhe i lindur në Luzern të Zvicrës, u detyrua t’i japë fund ëndrrës së tij për shkak të dëmtimeve të rënda që përfshinë tre këputje të ligamentit të kryqëzuar, një nga dëmtimet më të rënda për një futbollist. Pas një sërë përpjekjesh për rikthim, ai përfundoi duke punuar në një kantier ndërtimi.
Në një intervistë për portalin zviceran 20min.ch, Kameraj rrëfeu anën e errët të jetës së një sportisti: dëmtimet e njëpasnjëshme, pasojat mendore dhe momentet e humbjes totale të motivimit.
“U stërvita me Cristiano Ronaldon dhe Higuainin. Por kur u lëndova, gjithçka ndryshoi. Isha në majë… dhe u gjenda përsëri në fund. Ishte shumë e vështirë mendërisht për mua.”
Në Instagram, ende mund të shihen fotot e tij me fanellën bardhezi, përkrah Ronaldos dhe Higuainit, si dhe momente nga stërvitjet në Torino. Por rruga drejt majës u ndërpre në vitin 2019, kur erdhi dëmtimi i parë serioz. Ai u largua nga Juventusi dhe provoi fatin në klube të tjera zvicerane, si Lugano dhe Zurich, por gjithçka u rrëzua sërish me dëmtimin e dytë gjatë një prove.
Në vitin 2022, një tjetër përpjekje për rikthim përfundoi me të njëjtin rezultat tragjik: këputje e tretë e ligamentit, vetëm pak minuta pas hyrjes në fushë me ekipin Zug 94.
“Isha paralajmëruar. Një ditë para ndeshjes ëndërrova se do të dëmtohesha përsëri. Dhe ndodhi. Brenda 10 sekondave nga hyrja në fushë.”
Pas dëmtimit të fundit, Kameraj vendosi t’i japë fund përfundimisht karrierës si futbollist profesionist. Në rrjetet sociale, një foto virale me Cristiano Ronaldon e ndjekur nga një foto me helmetë në kantier simbolizoi më së miri ndryshimin drastik të jetës së tij.
Sot, ai punon si konsulent i burimeve njerëzore në një kompani ndërtimi në Zvicër, ICM Bau AG.
“Mbikëqyrësi ynë na kërkon të dalim në kantier çdo ditë, që të kuptojmë vërtet sa e vështirë është kjo punë.”
Edhe pse larg fushave të mëdha, futbolli nuk është zhdukur nga jeta e Kamerajt. Ai aktualisht trajnon FC Ebikon, një klub i vogël zviceran, ku po gjen mënyra të reja për ta jetuar pasionin e tij për sportin.
Rrëfimi i Kamerajt është një kujtesë e fortë se jeta e një sportisti nuk është gjithmonë siç duket në rrjete sociale – dhe se fitorja më e madhe ndonjëherë është të gjesh forcën për të nisur nga e para.