Vrasja e grave në Kosovë ka marr përmasa shqetësuese. Nga viti 2008 e deri më sot janë vrarë 17 gra.
Në shumicën e rasteve të dyshuarë për vrasje janë bashkëshortët e viktimave. Ndërsa, për shumë nga këto vrasje ende nuk kanë përfunduar proceset gjyqësore.
Mjekja, Igballe Llalloshi është vrarë më 09.11.2008 në banesën e saj në lagjen “Dardania”, në Prishtinë. I dyshuar është ish-bashkëshorti i saj, Ferki Ibrahimi.
Diana Kastrati është vrarë mëngjesin e 18 majit 2011, në Prishtinë. I dyshuar është ish-bashkëshorti i saj.
Antigona Morina, vdiq si pasojë e gjakderdhjes që kishte pasur nga organet gjenitale, mbrëmjen e parë të martesës, në shtëpinë e burrit të saj ku kishte qëndruar mes datave 27, 28, 29 korrik të vitit 2011.
Donjeta Pajazitaj në vitin 2015 ishte privuar nga jeta në bjeshkët e Strellcit në mënyrë mizore nga kushëriri i saj Naser Pajazitaj. Nga burgimi i përjetshëm, Gjykata e Apelit ia ka zbutur dënimin në 35 vite burgim Naser Pajazitajt.
Zejnepe Berisha vdiq më 23 tetor 2015 si pasojë e plagëve të marra nga burri i saj Nebih Berisha
Dafina Zhubi, 34 vjeçare është gjetur e vdekur mbrëmjen e 17 shkurtit të këtij viti, në një banesë në lagjen “Emshir”, në Prishtinë.
Flora Omuri është varrë nga bashkëshorti i saj në muajin korrik të vitit 2016, i cili më pas vrau dhe veten në Ferizaj.
Sevdije Berisha, është vrarë nga bashkëshorti i saj, Isen Berisha në muajin nëntor të vitit 2017, në Pejë.
Valbona Nrecaj dhe vajza e saj u vranë në muajin gusht të vitit 2018 nga Pjetër Nrecaj. Vrasja pati ndodhur në vitin 2018 në shtëpinë e vëllezërve të Valbona Nrecajt, ku ajo ishte strehuar bashkë me fëmijët e saj pas problemeve që kishte pasur me bashkëshortin.
Hatije Dina, u rrah për vdekje nga bashkëshorti i saj, Ilir Haxhiajn në muajin qershor në vitin 2019. Ajo ka vdekur dy javë pas rrahjes, gjatë trajtimit në QKUK.
Sabile Mavrovqani, më 25 korrik ishte vrarë në shtëpinë e saj nga bashkëshorti në fshatin Berivojcë të Komunës së Kamenicës. I njëjti e kishte goditur disa herë gruan me shufër metalike në pjesë të ndryshme të trupit, derisa 34-vjeçarja kishte mbetur e vdekur.
Makfire Zuka, në muajin dhjetor 2020 ishte vrarë nga bashkëshorti i saj, i cili vrau dhe dy fëmijët e tij dhe më pas dhe veten në Pozharan të Vitisë.
Sebahate Morina Sopi ishte vrarë nga bashkëshorti i saj në muajin mars të vitit 2021 në lagjen “Emshir”, në Prishtinë.
Marigona Osmani dyshohet se është vrarë nga Dardan Krivaqa, i cili ngarkohet për vrasjen e 18-vjeçares në gusht të vitit 2021. Rasti është ende në gjykim.
Lirie Qerimaj, dyshohet së është vrarë në muajin janar të vitit 2022. I dyshuar është bashkëshorti i saj, 51 vjeçari Skender Qerimaj. Gjykata e Mitrovicës me 24 vjet burgim e ka dënuar Skender Qerimajn.
Sanije Godeni u vra më 25 nëntor 2022 në shtëpinë e saj në Prishtinë. I dyshuar është bashkëshorti i saj 70 vjeçar, ndërsa dyshohet se viktima është qëlluar për vdekje me sëpatë.
Hamide Magashi, shtatzënë, u vra më 30 nëntor 2022 në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, gjegjësisht para Klinikës së Gjinekologjisë. I dyshuar është ish-bashkëshorti i saj, Sokol Halili.
Personat e përmendur në raste të tilla prezumohen të pafajshëm deri në vendimin e prerë të gjykatës.