Ngjallen dyshime se drejtori i spitalit të Gjakovës u zgjodh me dëshmi të rrejshme

Ngjallen dyshime se drejtori i spitalit të Gjakovës u zgjodh me dëshmi të rrejshme

Kirurgu i fëmijëve Jeton Zarari është drejtori i ri i Spitalit të Gjakovës, institucion këta që do ta drejtojë për tri vjet.

Mirëpo, kundërkandidatët Sabahudin Bytyçi dhe Valdet Spahija po pretendojnë që Zarari nuk e ka plotësuar kriterin elementar, atë mbi përvojën menaxheriale dhe se i njëjti, Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar i ka prezantuar një dëshmi të rrejshme, atë si shef i urgjencës i Shtëpisë së Shëndetit gjatë viteve 89-91 në Gjakovë.

Kirurgët Bytyçi dhe Sapahija thonë se edhe vetë këta kanë punuar në shtëpinë e shëndetit përgjatë asaj periudhe, derisa kolegun e tyre Jeton Zararin nuk e kujtojnë që të ketë qenë në atë pozitë udhëheqëse.

 Për këta dyshimet u rritën në momentin kur gjatë procesit të konkursit u ankuan në ShSKUK, ku kjo e fundit e refuzoi ankesën me arsyetimin se Zarari ka sjell një vërtetim mbi këtë përvojë të lëshuar nga Drejtoria e Shëndetësisë në Gjakovë.

Sipas kundërkanditati Spahija, ky dokument nuk është valid ngase nuk është lëshuar nga Sektori i Burimeve Njerëzore të QKMF-së në Gjakovë.

Drejtori i ri nuk pranoi të flasë para kamerës, përveç se pohoi së deklaratën fillestare ia lëshoi ish-eprori i tij Sinan Rizvanolli, dhe më pas vërtetimin DShMS-ja , meqë arkiva është djegur. I njëjti këmbëngulë që ka qenë shef i urgjencës.

Fjalët e tij i konfirmon edhe vetë Rizvanolli, mirëpo tregon se askush nuk e ka kontaktuar për ta konfirmuar vërtetësinë e letrës.

Ndërkaq, drejtoresha e Shëndetësisë në Gjakovë, Adelina Shehu-Kola, tha për televizionin se mjekut Jeton Zarari ia ka lëshuar referencën, bazuar në deklaratën e ish-drejtorit Rizvanolli dhe ish-kolegëve tjerë.

Mirëpo, për ligjshmërinë e këtij dokumenti pala ankuese rastin e ka raportuar tek njësia policore për krime ekonomike. E në ShSKUK,  janë të hapur për hetim.

Nga Sektori i Burimeve Njerëzore të ShSKUK-së  thonë se nuk janë të thirrur që ta përcaktojnë validitetin e një dëshmie, megjithatë shpjegojnë se çdo kandidat mban përgjegjësi penale, ngase të njëjtit edhe nënshkruajnë një deklaratë sa i përket saktësisë të të dhënave.

Related Articles