Skandalet në Universitetin “Isa Boletini” nuk kanë të ndalur. Pas shumë dyshimeve për keqpërdorime, ka reaguar prokuroria.
Me datën 22.12.2022 Prokuroria Themelore ka ngritur aktakuzë ndaj katër profesorëve, njëherit edhe anëtarë të Këshillit Drejtues në UIBM, shkruan Jepi zë.
Redaksia e “Jepi zë” ka siguaruar dokumentin që mban numrin e lëndës 2022:0066640, ndërsa kjo aktakuzë është ngritur ndaj të padehurëve Ylber Januzaj, Valdet Gjinovci, Fatbardha Hoxha dhe Halil Bajrami.
Sipas aktakuzës, të lartcekurit në mënyrë të kundërligjshme kanë penguar udhëheqësin e Këshillit Drejtues, prof. Selem Lepaja, duke e sabotuar dhe penguar në forma të ndryshme.
Dokumenti tregon se 4 të pandehurit duke u koordinuar në mes vete me datat 24 qershor 2022, 22 korrik, 28 gusht nuk kanë ndërmarrë veprime që janë obliguar sipas Ligjit nr.06/1-114 për zyrtarë publikë, neni 18par. 4 të Statutit të UIBM dhe nenit 13 par.7 Rregullores mbi punën e Këshillit Drejtues, me çka në bashkëkryeje kanë kryer veprën penale cenim i së drejtës në menaxhim nga neni 220 par. 2 dhe 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Gjykata ka dëgjuar të katër të akuzuarit gjatë muajit tetor dhe nëntor, poashtu edhe të dëmtuarit.
Në muajin tetor Prokuroria ka zgjeruar hetimet ndaj Halil Bajramit dhe Ylber Januzaj për shkak të veprës penale Cenim i fshehtësisë së korrespodencave dhe e bazave të të dhënave.
“Jepi zë” posedon dokumentin që tregon se Halil Bajrami në vitin 2018 ishte shpallur fajtor për një rast tjetër nga Gjykata Themelore në Prishtinë- Departamenti i Krimeve të Rënda, ndërsa profesori Bajrami me deklaratën nën betim kishte arritur të avancohej në UIBM.
“Jepi zë” posedon dokumentacion edhe për profesorin Ylber Januzaj i cili në njejtën kohë ka mbajtur dy pozita, në Universitetin e Mitrovicës dhe Universitetin e Pejës.
Redaksia poashtu ka marrë vesh se edhe pozita e sekretarit në UIBM që është shpallur tani dyshohet të jetë kurdisur për njërin nga të “dëgjuarit” e udhëheqësve të këtij institucioni.