Dy të moshuar në Gjakovë kanë përfunduar në spital për shkak të dhunës që kanë përjetuar nga nipi 23-vjeçar.
Sinjali mëson se rasti ka ndodhur në rrugën “Migjeni” në Gjakovë, gjatë paradites së djeshme.
Viktima, e moshës rreth 70-vjeçare, e ka denoncuar në Polici nipin, djalin e vëllait për dhunën që ia ka shkaktuar asaj dhe bashkëshortit të saj.
E lodhur edhe për shkak të moshës së shtyrë, viktima ka kërkuar ndihmë nga Policia, për shkak të keqtrajtimit nga nipi, me të cilin jeton.
Në deklaratën e saj të dhënë para zyrtarëve policorë, e moshuara ka deklaruar se përveç dhunës që ka përjetuar, i dyshuari u kishte shkaktuar edhe dëme materiale, pasi kishte dëmtuar një derë në shtëpi.
Ata kanë deklaruar se rastin e raportuan në Polici për shkak të rrezikut se nipi 23-vjeçar mund t’ju shkaktojë më shumë probleme në shtëpi.
Për lëndimet që pësuan nga sulmi, dy të moshuarit kanë marrë trajtim mjekësor, teksa i dyshuari është shoqëruar në Polici dhe është intervistuar në prani të avokatit.
Pas përfundimit të procedurave, prokuroi i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tij për 48 orë, si i dyshuar për veprën penale “dhunë ne familje”.