Nis procesi i konvertimit të patentë shoferëve në Gjermani

Nis procesi i konvertimit të patentë shoferëve në Gjermani

Ambasada e Kosovës në Gjermani ka njoftuar se ka nisur procesi i konvertimit të patentë shoferëve në këtë vend.

Ambasada e Kosovës në Gjermani ka njoftuar se të interesuarit për konvertimin e patentë shoferëve mund të fillojnë me procesin e aplikimit nëpër vendbanimet ku jetojnë.

“Pas votimit të marrëveshjes për njohjen e patentë shoferëve (në seancën plenare të Bundesrat-it më 11 shkurt 2022) dhe hyrjes së saj në fuqi, tashmë ka nisur procesi i konvertimit të patentë shoferëve nëpër landet gjermane. Të gjithë të interesuarit për konvertimin e patentë shoferëve mund të fillojnë me procesin e aplikimit të konvertimit në qytetet apo vendbanimet ku jetojnë, përkatësisht në qendrat përgjegjëse tek institucionet gjermane”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Sipas ambasadës, shumë shpejtë do të mundësohet verifikimi i validitetit të patentë shoferëve në të gjitha misionet konsullore të Kosovës në Gjermani.

“Marrë parasysh vëllimin e madh të kërkesave për konvertim dhe me qëllim të përshpejtimit të procesit të verifikimit të patentë shoferëve, Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës (MPB) në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës (MPJD), do të mundësojnë verifikimin e validitetit të patentë shoferëve në të gjitha misionet konsullore të Republikës së Kosovës në Gjermani, përkatësisht pajisjen e qytetarëve me një vërtetim mbi vlefshmërinë e marrjes së patentë shoferëve në procedurë të rregullt në Kosovë. Sistemi i verifikimit të patentë shoferëve do të kryhet shpejtë (brenda pak minutave), do të jetë i standardizuar dhe në disa gjuhë”, thuhet në njoftimin ambasadës./GazetaEnigma/

Related Articles