Ekipet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, kanë filluar të dalin në terren për regjistrimin e popullsisë.
Avni Kastrati, ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të ASK-s, ftoi të gjithë qytetarët që të regjistrohen.
Ai tha se nëse qytetarët nuk mund ta kontaktojnë regjistruesit, kanë të drejtë të thërrasin në Komunë ose në ASK, dhe do të dërgohet stafi tjetër rezervë.
Kastrati tutje theksoi se nëse ka një bojkot të plotë, do të ketë gjoba deri në 2 mijë euro për individë, dhe të tillët do të kenë sfida në të ardhmen për të qenë pjesë e institucioneve.
“Nëse nuk je në regjistra, do të thotë se nuk ekziston, unë i ftoj të gjithë qytetarët pavarësisht përkatësisë etnike apo religjioze, që të jenë pjesë e regjistrimit, sepse nuk ka pyetje konfidenciale që zakonisht është sfiduese për disa institucione. Pyetjet janë të zakonshme: emri, mbiemri, a je i punësuar, niveli i shkollimit, statusi ekonomik – të ardhurat”.
Kastrati, njoftoi se në komunat veriore regjistruesit do të fillojnë nga dita e hënë, raporton Klankosova.tv.
“Sa i përket pjesës veriore, kemi pasur regjistrues dhe mbikëqyrës sa kemi kërkuar, mirëpo duket se ata kanë një lloj trysnie nga komuniteti i tyre. Mirëpo kemi gjetur prapë regjistrues, dhe të hënën do të fillojnë për komunitetin serb në veri në katër komunat”, tha ai.
“Shpresojmë që ata të jenë të gatshëm, mund të ketë ndonjë bojkotim apo trysni por ne do të ecim përpara me procesin. Agjencia e Statistikave të Kosovës i ofron kushtet e barabarta secilit komunitet, dhe i mbështet në aspektin logjistik. Nëse ata vendosin që nuk do të marrin pjesë në regjistrim ne e kemi për obligim të bëjmë një vlerësim të popullsisë për atë zonë”, u shpreh mes tjerash Kastrati.
“Ata në të kaluarën kur ka qenë regjistrimi në 2011-tën nuk morën pjesë por pas tri viteve, kishin bërë një kërkesë zyrtare në Bashkimin Evropian dhe në ASK që të regjistrohet vetëm ajo pjesë, ne nuk ishim dakord si agjencion, sepse ishte një lloj ndarje. Edhe kësaj here ne po ecim me regjistrim të popullsisë ata duhet të jenë në trend me neve”, shtoi ai.