Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka bërë të ditur se tashmë ka filluar periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, për votim me postë në Zgjedhjet Lokale për Kryetar të Komunave dhe për Kuvende Komunale.
Gjatë periudhës 38-ditore (23 korrik 2025 – 29 gusht 2025), të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës.
Aplikimi për regjistrim duhet të jetë individualë dhe mund të bëhet:
1) përmes platformës elektronike të KQZ-së https://diaspora.kqz-ks.org ose
2) përmes postës duke dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.
“Për dallim nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, në Zgjedhjet Lokale votimi jashtë vendit realizohet vetëm përmes postës, pasi në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme përcaktohet se votimi në përfaqësi diplomatike nuk aplikohet në këtë lloj zgjedhjesh”. thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Periudha e votimit përmes postës do të fillojë më 17 shtator dhe do të përfundojë më 11 tetor 2025.
Kjo periudhë do të vlejë vetëm për shtetasit që do të arrijnë të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së regjistrimit (23 korrik – 29 gusht 2025).