Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka nisur takimin me liderët e partive të komuniteteve jo shumicë të Kosovës.
Pas takimit me katër liderët e partive shqiptare në parlament, i cili nuk solli ndonjë rezultat, Osmani do të jetë nikoqire e udhëheqësve të partive të komuniteteve jo shumicë në parlament.
Osmani tha se katër liderëve të partive politike parlamentare ua ka shprehur gatishmërinë e saj që t’i drejtohet për interpretim Gjykatës Kushtetuese, në rast se vazhdon zvarritja.
Osmani tha se janë disa opsione që çështja e zvarritjes së konstituimit të Kuvendit të Kosovës të përfundojë në Kushtetuese.
Ajo tha se liderët patën qasje konstruktive pavarësisht dallimeve në qëndrime.
E para e vendit u shpreh e gatshme edhe për takime individuale me secilin nga liderët e partive në shërbim të zgjidhjes së krizës.