Nisin hetimet rreth dyshimeve për keqpërdorim të parave nga Lista Serbe

Nisin hetimet rreth dyshimeve për keqpërdorim të parave nga Lista Serbe

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për dyshimet e ngritura nga zëvendësministri për komunitete dhe Kthim, Radoica Radomiroviq, për keqpërdorim të parave nga Lista Serbe.

Radomiroviq ka nisur të publikojë dokumente në rrjete sociale, të cilat sipas tij, dëshmojnë keqpërdorimet e kësaj partie serbe gjatë udhëheqjes së katër komunave veriore.

Sipas tij, ato dëshmojnë keqpërdorimet qe ka bërë Lista Serbe gjatë kohës sa ishte duke udhëhequr me komunat veriore të vendit.

Policia e Kosovës e ka konfirmuar se tashmë kanë nisur hetimet dhe se deri më tash është intervistuar një person.

“Policia e Kosovës është duke kryer hetime rreth keqpërdorimeve të apostrofuara nga ana juaj. Lidhur me këto dyshime është intervistuar një person dhe hetimet janë në proces. Të gjitha veprimet policore janë ndërmarr në konsultim me Prokurorin e Rastit”.

Lidhur me këtë rast, Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje, derisa zëvendësministri Radomiroviq, përmes telefonit i ka thënë Dukagjinit se i ka dorëzuar në Polici të gjithë dokumentet e dyshimta për keqpërdorime.

Në mesin e dokumenteve të publikuara janë edhe ato për blerjen e flamujve të Serbisë e posterëve dhe pankartave me mbishkrimin “kjo është Serbia”, që vlera arrin gati në 1 milion dinarë, e që qëllimi ishte te vendosen në komunën e Leposaviqit.

Ai pretendon se Lista Serbe ka keqpërdorur fondet e Qeverisë së Kosovës të dedikuara për veriun.

Related Articles