Federata e Futbollit të Kosovës ka përkujtuar 5 marsin si një datë historike në futbollin e Kosovës, raporton Gazeta “Enigma”.
Sipas tyre 5 marsi i 2014-tës në futbollin e Kosovës ka shënuar një kapitull të pazëvendësueshëm që nisi me ndeshjen e parë miqësore nën patronatin e FIFA-s për Kombëtaren e Kosovës.
“Ajo nuk ishte thjesht vetëm një sfidë sportive, por një shpërthim i emocioneve dhe një manifestim i vullnetit të padiskutueshëm për njohje ndërkombëtare dhe paraprijëse e anëtarësimit të Kosovës në UEFA e FIFA”, thuhet në njoftimin e tyre.
Tutje FFK ka deklaruar se ndeshja kundër Haitit nuk ishte vetë një konfrontim sportiv, por ishte një dëshmi e fuqishme se Kosova ishte gati të ndihej e barabartë në skenën ndërkombëtare të futbollit.
“5 mars 2014, stadiumi Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë u mbush me përplot shikues, të cilët krijuan një atmosferë të pashoqe, duke thirrur për një anëtarësim sa më të shpejtë të Kosovës në dy institucionet e futbollit ndërkombëtar. Ndeshja kundër Haitit nuk ishte vetëm një konfrontim sportiv; ishte një dëshmi e fuqishme se Kosova ishte gati dhe e meritonte të ndihej e barabartë në skenën ndërkombëtare të futbollit, për t’i dhënë fund izolimit të padrejtë për më shumë se dy dekada”.
“Rrugëtim të suksesshëm ka pasur edhe Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave (e cila tani është promovuar në Ligën B të Ligës së Kombeve dhe ka një seri prej 14 ndeshjeve pa humbje), por edhe ekipet tjera zinxhir”, thuhet në njoftimin e FFK-së. /GAZETA ENIGMA/