Punonjësit shëndetësorë në shumë raste gjatë kryerjes së detyrave të tyre përballen me pacientë e familjarë të pacientëve të cilët i fyejnë e ofendojnë me fjalë të ndryshme. E shpesh herë këto fjalë eskalojnë në kërcënime dhe veprime të dhunshme ndaj tyre.
Me një situatë ë tillë është përballur një mjek i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Shtime, i cili u kanos seriozisht nga një grua.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 47-vjeçarja e dyshuar kishte shkuar në QKMF dhe me një thikë që kishte marrë me vete, dyshohet se ka kërcënuar mjekun.
Në rast ka ndërhyrë sigurimi fizik i QKMF-së, i cili ka izoluar të dyshuarën derisa atje kanë dalë njësitë policore, të cilët kanë arrestuar gruan.
E dyshuara është intervistuar nga organet e hetuesisë lidhur me rastin dhe me urdhër të prokurorit ndaj saj është iniciuar rasti ‘Kanosje’.
Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim për ndalimin e 47-vjeçares.