Një kamion u përplas me një autokolonë ushtarake amerikane në një autostradë në shtetin gjerman të Bavarisë të hënën, duke bërë që disa automjete të përfshihen nga flakët.
Një zëdhënës i policisë tha se një person me siguri ka mbetur i vrarë nga flakët, shkruan dpa, përcjell Gazeta ‘Enigma’.
Tetë anëtarë të ushtrisë amerikane besohet se kishin thithur tym dhe u dërguan në një spital aty pranë për vëzhgim, tha ai.
Policia beson se ngjarja ishte një aksident dhe jo një sulm i qëllimshëm.
Siç bëhet e ditur më tej, kamioni u përplas me një nga tre automjetet ushtarake amerikane dhe në mesin e autokolonës ishte një cisternë me 2500 litra karburant avioni, e cila për fat të mirë nuk u ndez.
Ishte e paqartë se si kamioni gjerman mund të kishte hyrë në kolonë.
Sipas njoftimeve të policisë të hënën, shoferi i kamionit vdiq në incident dhe kabina e tij u shkatërrua.
Zjarri është shuar me shpejtësi, por autostrada është mbyllur në të dy drejtimet.
Vendi i aksidentit pritej të ishte pastruar dhe rruga të hapej deri të hënën vonë, por puna vazhdoi edhe gjatë natës.
Zëdhënësi i bazës ushtarake amerikane në Grafenwoehr, Donald Wrenn, fillimisht tha se nuk kishte raporte për ushtarë amerikanë të plagosur, duke shtuar se tetë megjithatë ishin dërguar në një klinikë për një kontroll mjekësor.
Tre automjetet e ushtrisë amerikane thuhet se po udhëtonin përgjatë autostradës kur u ndanë nga pjesa tjetër e kolonës së tyre dhe u tërhoqën në anë të autostradës. /Gazeta Enigma/