Një minibus është vendosur në rrugë në drejtim të pikës kufitare në Bërnjak, në anën e Serbisë, duke e bllokuar lëvizjen e automjeteve.
Në minibus, siç shihet në fotografi është ngjitur një mbishkrimi: “Bllokimi i linjave administrative do të zgjasë deri në përmbushjen e këtyre kushteve”.
Vendkalimet Bërnjak, Jarinjë, Merdarë nga ana e Serbisë qendrore dhe vendkalimi Kullë në rrugën Pejë-Rozhajë nga ana e Malit të Zi – janë pikat për të cilat është njoftuar se do të bllokohen nga grupe të qytetarëve serbë.
Policia tha se rreth dy kilometra prej pikës së kalimit kufitar në Merdar, në anën e Serbisë, disa qytetarë serbë janë tubuar me qëllim që ta bllokojnë rrugën, shkruan Enigima.
Këtë informacion e konfirmoi komandanti i pikës kufitare në Merdar, Ekrem Koliqi.
“E kemi informatën se rreth 2 kilometra prej pikë- kalimit kufitar (në Merdar), janë vendosë një grumbull i njerëzve edhe aty janë t’u protestu” – tha Koliqi, më 06.09.2024.
Sipas Koliqit, ka qarkullim të veturave nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas, por në numër më të paktë.
“Po, veç është numër shumë i vogël (i veturave)” – ka thënë Koliqi.
Tutje, Koliqi tha se i kanë marrë masat e nevojshme, për shkak të paralajmërimit të disa qytetarëve serbë se do të organizohet një protestë në pikat kufitare të Serbisë me Kosovën, më 06.09.2024.
“Na i kemi masat që kemi parapa dhe i kemi ndërmarr… Kemi numrin e mjaftueshëm (të policëve) d.m.th për menaxhim të situatës. Edhe nëse ka nevojë, na kërkojmë edhe asistim” – ka shtuar Koliqi për Kallxo.
Ai tha se nuk kanë vërejtur shqetësime të qytetarëve që kanë qarkulluar në pikë kalimin kufitar të Merdarit.