Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar një muaj paraburgim të pandehurit S.K, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”, si dhe një muaj paraburgim një të mituri, për bashkëpunim në vepër.
S.K. dyshohet si autori kryesor i vrasjes së ndodhur dy ditë më parë në Zllakuqan të Klinës.
Sipas njoftimit, gjykata ka vlerësuar se caktimi i masës së paraburgimit tani për tani është masë adekuate dhe e domosdoshme, sepse nëse i pandehuri S.K gjendet në liri, i njëjti mund të ikë dhe të arratiset.
“Kjo për faktin se për veprën penale për të cilën dyshohet i pandehuri, dënimi i paraparë përfshin dënim me burgim afatgjatë, po ashtu ekziston edhe rreziku i ndikimit në dëshmitarë për ndryshimin e provave, si dhe përsëritja e veprave penale, andaj masa e paraburgimit është e vetmja masë e sigurisë, për rrjedhën e pa penguar të procedurës në këtë çështje penale”, ka thënë Gjykata.
Ndërkaq, thuhet po ashtu se Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur, e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit për një të mitur.
“Të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale Vrasje e rëndë në tentativë dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”, ka njoftuar Gjykata.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.