Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, Faton Brahimi.
I dyshuari, akuzohet se ka privuar nga jeta djalin e axhës së tij, Bashkim Brahimi.
Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se i njëjti e ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet dhe duke e pas parasysh se i pandehuri ka qenë në arrati dhe duke e marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën e kryerjes, afërsinë familjare me të ndjerin, vendin dhe kohën e kryerjes së veprës penale, gjykata ka gjetur se me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri, i njëjti mund të ikë apo mund të ndikojë në dëshmitarë e me këtë të pengoj rrjedhën normale të procedurës penale. Andaj, gjykata ka vlerësuar se paraburgimi është masa adekuate për sigurimin e prezencës së tij në procedurë.
Gjykata sipas detyrës zyrtare vlerësoi edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurit në procedurë mirëpo, vlerësoi se në ketë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e adekuate.
Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.