Një muaj paraburgim ndaj ish-punëtorit të Postës së Kosovës

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për të pandehurin M.B., për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër  të pandehurit M.B e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit  “i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji. Të pandehurit M.B paraburgimi i  caktohet në bazë të nenit 187 par. 1.1  sepse ekziston dyshimi i bazuar se i  pandehuri ka  kryer këtë vepër penale, po ashtu plotësohen kushtet nga paragrafi 1.2.1, 1.2.2. dhe par. 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës”, njofton gjykata.

M.B, dyshohet se në periudhën 2019-2021 keqpërdori pozitën zyrtare, duke mos dërguar 2 mijë e 26 dërgesa postare.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se nga këto dërgesa 682 kishin qenë të gjykatës, 512 fatura të tatimit mbi pronë, 337 fatura të Valës, 57 dërgesa ishin të karakterit ndërkombëtar, 200 dërgesa ishin shkresa të Trustit, 197 dërgesa ishin fatura të Bankave, 7 dërgesa ishin shkresa të Ministrisë së Bujqësisë, 18 dërgesa ishin shkresa nga Komuna e Lipjanit, 1 dërgesë ishte shkresë nga AKP-ja, 14 dërgesa ishin shkresa nga Përmbaruesit Privat, 1 dërgesë ishte shkresë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.Reklamë

Të gjitha këto dëshmi dhe prova, në vendim thuhet se  janë gjetur dhe sekuestruar nga ana e policisë në shtëpinë e tij, me ç ‘rast ka dëmtuar rëndë procedurat në institucione si Gjykatë, Ministri, Përmbarues Privat, si dhe ka shkelur të drejtat e qytetarëve, të cilët ishin adresë e pranimit të këtyre dërgesave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Related Articles