Një muaj paraburgim ndaj tre të dyshuarve për ushtrim ndikimi, mashtruan viktimat duke thënë se kanë ndikim te prokurori

Një muaj paraburgim ndaj tre të dyshuarve për ushtrim ndikimi, mashtruan viktimat duke thënë se kanë ndikim te prokurori

Gjykata e Gjilanit ka caktuar një muaj paraburgim për ushtrim ndikimi ndaj tre personave të dyshuar, Nustret Pepenikut – zyrtar i Gjykatës së Prizrenit; Bekim Parallangaj – avokat dhe Bekim Krasniqit – person që ka shërbyer si ndërmjetës.

Të pandehurit Krasniqi, Parallangaj dhe Pepenik po dyshohen se kanë tentuar t’i mashtrojnë viktimat se kinse janë duke ushtruar ndikim të drejtëpërdrejtë në vendimmarje të prokurorit te shtetit dhe të njëjtëve u kanë kërkuar të holla.

“Në komunikimet fizike dhe telefonike ata tentojnë t’i mashtrojnë viktimat se kinse janë duke ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrje të prokurorit të shtetit, të cilëve u kërkojnë të hollat me të cilat arrestohen në flagrancë”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Gjilanit.

Në vendimin e Gjykatës së Gjilanit për të pandehurin Bekim Krasniqi thuhet se ka të kaluar kriminale dhe nuk është hera e parë që i njëjti bie ndesh me ligjin. Bekim Krasniqi i figurojnë 16 vepra penale nga këto 13 vepra penale të mashtrimit – raste si i dyshuar.

“E që një situatë e tillë vlerësuese vlen edhe për dy të pandehurit tjerë të cilët mbanin pozita në sistem të drejtësisë dhe shoqëroheshin dhe bashkëpunonin me një personalitet të tillë me recidivizëm të shumëfishtë e giithë kjo me qëllim të përfitimit material”, thuhet në vendim.

Gjykata ka vlerësuar caktimin e paraburgimit për të pandehurit duke marrë parasysh peshën e veprave penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale.

“Duke i marrë parasysh pozitat që të pandehurit i kanë mbajtur për një kohë të gjatë një rreth të ngushtë siç është qyteti i Prizrenit, afërsinë shoqërore dhe atë miqësore që kanë me zyrtarë, të njëjtit do të pengojnë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar drejtpërdrejt në dokumentacion dhe në dëshmitarë, të cilët i njohin personalisht”,  thuhet në dosje.

Gjykata ka vlerësuar se me të gjitha këto ekziston rreziku real se me lënien e të pandehurve në liri ata mund t’i përsërisin veprat penale apo të kryejnë edhe ndonjë vepër tjetër penale me pasoja edhe më të rënda.

Të shtunën, më 24.05.2025, është mbajtur edhe seanca dëgjimore lidhur me këtë rast.

Gjatë seancës dëgjimore gjyqtari i procedurës paraprake, Rilind Sermaxhaj ka njoftuar se kjo seancë lidhur me këtë rast do të mbahet në Gjykatën e Gjilanit për shkak të kompetencës territoriale.

“Seanca dëgjimore mbahet këtu për shkak të kompetencës territoriale dhe nenit 36, i cili parasheh që për veprat penale të kryera në Prizren kompetente është Gjykata Themelore në Gjilan”- tha gjyqtari Sermaxhaj.

Prokurorja Leonora Kadriu e ka mbështetur kërkesën e Prokurorisë së Prizrenit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të pandehurve.

Ndërsa mbrojtësit e të akuzuarve kanë hedhur poshtë pretendimet e prokurorisë duke i propozuar gjykatës masa alternative për praninë e të pandehurëve në procedurë penale. /Kallxo.com/

Related Articles