Rastet e grabitjeve e të vjedhjeve po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që siguria për të lëvizur edhe në hapësirat publike po rrezikohet. Ndër rastet e shpeshta të grabitjeve janë gjësendet me vlerë, si stolitë e arit, telefonat e çantat e krahut që hajnat arrijnë t’i kapin nga qytetarët nëpër rrugë.
Gazeta Sinjali raportoi të mërkurën për arrestimin e dy personave që dyshohen për një rast të tillë që ka ndodhur para disa ditësh në Prizren.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se ndaj Bajram Çoçaj dhe Valton Shigjeqi është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë.
Dy të dyshuarit që kanë rënë në prangat e Policisë para disa ditësh ia kanë grabitur një zinxhir një gruaje nga qafa dhe më pas kanë arritur të arratisen.
Por ndonëse e shijuan lirinë për disa ditë, të njëjtit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor dje, ku kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me rastin.
Dy të dyshuarit për këtë rast, sipas të njëjtave burime dyshohen edhe për raste të tjera të kësaj natyre, grabitje e vjedhje.
Lajmin për arrestimin e tyre e kanë konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Prizren.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.