Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurve A.J., Z.Z., H.Gj., M.P., G.Ll., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale të fajdes dhe mbajtjes në pronësi, kontroll paautorizim të armëve.
“Sipas kërkesës, të pandehurit Z.Z., H.Gj., M.P., G.Ll., dyshohen se kanë kryer vepër penale “Fajdeja”, i pandehuri A.J., dyshohet se ka kryer vepër penale “Fajdeja në bashkëkryerje” ndërsa të pandehurit M.P. dhe G.Ll., dyshohen edhe për vepër penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Gjyqtari i procedurës paraprake Drilon Haraçia, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase kemi të bëjmë me vepra penale të rëndë, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale dhe rreziku i ikjes.
Të pandehurit do të mbahen në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 18 tetor 2022 dhe do të zgjasë deri më 17 nëntor 2022.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.