Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit me inicialet L.D., nën dyshimin se ka kryer katër vepra penale, ndër të cilat edhe sulmin ndaj zyrtarëve të KFOR-it në protestat në Zveçan në maj të 2023-ës.
L.D. dyshohet për veprat penale “Bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese”, “Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Sipas Gjykatës, i pandehuri L.D. është vlerësuar se po që se lihet në liri paraqet rrezik të ikën, duke qenë se punon në Serbi dhe mund të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë në Kosovë.
“Ekziston dyshimi i bazuar se me datën 29.05.2023, në intervalin kohor prej orës 06:00 e deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin në të cilin gjendet objekti i Komunës së Zveçanit, i pandehuri L.D së bashku me të pandehur tjerë kanë marrë pjesë aktive në grupin përkatësisht turmën e personave, me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, në atë mënyrë që përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit, ashtu që edhe përkundër urdhrave të ushtarëve të misionit paqeruajtës të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës dhe refuzim të hyrjes në objektin e komunës, të njëjtit kanë nxitur dhe filluar që të ushtrojnë dhunë të pakontrolluar, duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe armë zjarri, nga të cilat janë lënduar të paktën 30 (tridhjetë) pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, 3 (tre) nga ta nga predhat e armëve të zjarrit si dhe duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe në veturat e gazetarëve të cilët kanë mbuluar ngjarjet e kësaj dite, të cilat përfshijnë djegien e plotë të disa automjeteve ose dëmtim fizik në masë të madhe, duke shkaktuar rrezik në shkallë të lartë për jetën dhe trupin e shumë njerëzve dhe pasurisë”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit./BetimipërDrejtësi