Gjykata Themelore e Ferizajt ka caktuar një muaj paraburgim për një të mitur të akuzuar për kontrabandim të migrantëve.
Sipas njoftimit të gjykatës, më 21 tetor i mituri kishte organizuar kalimin e jashtëligjshëm të pesë personave me shtetësi kineze përmes pikëkalimit Kosovë–Maqedoni e Veriut.
Komunikata sqaron se i mituri fillimisht kishte takuar dhe komunikuar me personat në Serbi, duke arritur marrëveshje që për secilin person do të merrte pagesë prej 20 eurosh. Pas kësaj, ai duhej t’i merrte personat nga Serbia dhe t’i dërgonte në Kosovë.
Më tej, thuhet se i mituri siguroi një automjet, i cili u drejtua nga një person deri më tani i panjohur. Në këtë automjet u futën të gjithë migrantët dhe më pas u dërguan drejt Maqedonisë së Veriut, në vijën kufitare Kosovë–Maqedoni e Veriut, ku njësiti patrollues kufitar i vuri re dhe i ndaloi. Të gjithë u shoqëruan në stacionin policor kufitar në Rajonin Lindje Kaçanik.