Një person nga Çekia dhe një Gjermania ekstradohen në Kosovë

Një person nga Çekia dhe një Gjermania ekstradohen në Kosovë

Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar me sukses transferim të një të dënuari dhe ekstradimin e një të dyshuari nga Çekia përkatësisht Gjermania për në Kosovë.

Në njoftim, thuhet se gjatë ditës së djeshme më 13 janar, është transferuar shtetasi i Kosovës, i dënuar në shtetin e Çekisë për veprën penale “vrasje në tentativë”.

“I njëjti pas transferimit i është dorëzuar Shërbimit Korrektues të Kosovës për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit pasi që një pjesë të dënimit e kishte vuajtur në shtetin e lartcekur”, thuhet në njoftim.

“Ndërsa me datën 14.01.2026 është ekstraduar nga Gjermania për në Kosovë, shtetasi i Kosovës, pasi që i njëjti kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, për përfshirje në veprat penale mbajtje në posedim dhe kontroll të armës, lëndim trupor dhe kanosje. Ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe shtetit Gjerman, ku i dyshuari pas ekstradimit, u është dorëzuar njësiteve përkatëse policore për vazhdim me procedurat tjera ligjore”, thuhet tutje në njoftim.

Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, do vazhdoj me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe aktivitete tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.

Related Articles