Një tjetër vendim i administratës Trump mund t’i kushtoj Kosovës 200 milionë dollarë

Një tjetër vendim i administratës Trump mund t’i kushtoj Kosovës 200 milionë dollarë

Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë amerikane (DOGE) i Elon Musk pritet t’i japë fund punës së Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), e cila ishte nisur si një agjenci ndihme amerikane nga ish-presidenti republikan George W. Bush për të ulur varfërinë dhe për të promovuar rritjen ekonomike në mbarë botën, raporton Reuters.

Kjo lëvizje për mbylljen e MMC-së vjen si pjesë një përpjekje të paprecedentë nga presidenti Donald Trump dhe këshilltari i tij miliarder Musk për të zvogëluar qeverinë federale, duke thënë se paratë e taksapaguesve amerikanë janë shpenzuar gabimisht.

“Ndihma e huaj nuk është prioritet për administratën dhe kështu puna e MCC duhet të përfundojë”, i tha stafit Kyeh Kim, një zyrtar i lartë i MCC-së.

Zyrtarët nga DOGE mbërritën në agjenci në fillim të javës së kaluar dhe filluan bisedimet me udhëheqjen, të cilët po përpiqeshin të shpëtonin agjencinë, tha Kim.

MCC nuk iu përgjigj një e-maili të Reuters për komentim.

Kjo lëvizje nga DOGE rrezikon mbi 200 milionë euro për Kosovën.

Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit e Qeverisë amerikane dhe Qeveria e Kosovës vitin e kaluar lansuan zbatimin e programit kompakt, që ishte i fokusuar në ofrimin e zgjidhjeve për energji të pastër.

Programi kishte vlerën prej 236.7 milionë dollarësh. Nga kjo vlerë, 202 milionë ishin nga MCC-ja dhe 34.7 milionë të tjera kontribut i Qeverisë së Kosovës.

Administrata e Trump tashmë ka çmontuar edhe agjencinë kryesore të ndihmave të Uashingtonit, USAID, e cila administronte rreth 40 miliardë dollarë ndihmë në vit.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka reaguar ndaj lajmit se administrata e presidentit Donald Trump do të mbyll Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Hoti ka kritikuar ashpër qeverisjen e Albin Kurtit që refuzoi partneritetin me SHBA-në.

“Kosova është ndër vendet që do pësojë më së shumti. Refuzimi i Marrëveshjes së Uashingtonit të 4 shtatorit 2020 pamundësoi ndërtimin e termocentralin me gaz”, ka sqaruar Hoti.

Sipas tij, tani kur edhe MCC po mbyllet në kuadër të reformimit të Administratës Amerikane nga Presidenti Trump, Kosova do të humbë edhe shumën prej 220 milion dollarëve për blerjen e baterive për ruajtje të energjisë. Bashkë me këto edhe shumë projekte të tjera të ndërlidhura që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve.

“Kështu ndodh kur qeverisin bukëpërmbysurit, të cilët duke injoruar Marrëveshjen e Uashingtonit refuzuan partneritetin me SHBA – shtetin që është përgjegjësi kryesor për ekzistencën e Kosovës së lirë dhe të pavarur”, ka thënë deputeti i LDK-së.

“Këta gjithashtu refuzuan të pezullojnë tarifat e importit për produktet amerikane. Kjo qeveri po punon kundër interesave tona strategjike”, ka shkruar Hoti.

Related Articles