Një zarf me tre plumba drejt Vatikanit, kërcënohet Papa Françesku

Një zarf me tre plumba drejt Vatikanit, kërcënohet Papa Françesku

Një zarf me tre plumba është konfirmuar nga policia italiane se është nisur në adresë të Papa Françeskut.

Zarfi u gjet në Peschiera Borromeo, në zonën e Milanos. Karabinierët e stacionit ‘Paullo’ ndërhynë pasi një 57-vjeçar raportoi praninë e një zarfi, me postë franceze, që përmbante 3 plumba, pa dërgues, dhe të shkruar me stilolaps dhe një shkrim jo shumë të lexueshëm: ‘Papa – Qyteti i Vatikanit, Sheshi i Shën Pietrit, Romë’.

Paketa e dyshimtë u kap para se të arrinte tek Papa dhe, sipas policisë, është dërguar nga Franca.

Policia italiane raporton se tre plumbat supozohet të jenë për një pistoletë dhe zarfi gjithashtu përmbante një mesazh në lidhje me operacionet bankare dhe korrupsionin e mundshëm.

Zarfi me tre plumba të tipit Flobert, të kalibrit 9 milimetra është sekuestruar dhe policia po vijon hetimin e ngjarjes.

Përfaqësuesit e Selisë së Shenjtë, ende nuk kanë komentuar për ngjarjen, por ndërkohë hetimet po vazhdojnë. 

Ngjarja vjen pas një periudhe të vështirë për Papa Françeskun, edhe nga ana shëndetësore. 84-vjeçari kaloi 10 ditë në spital muajin e kaluar pas një operacioni në zorrën e trashë.

Më 27 korrik, Papa dha miratimin për nisjen e një gjyqi në të cilin 10 persona, përfshirë një kardinal të lartë, janë paditur për akuzat për keqpërdorim të fondeve të Vatikanit. Skandali me miliona euro ka të bëjë me blerjen e një ndërtese luksoze në Londër.

Related Articles