B.R është dënuar me tre muaj burgim efektiv për vjedhje të veturës, derisa Z.D. me 1 muaj burgim për blerjen e veturës së vjedhur. Këtij të fundit, me pëlqimin e tij, dënimi i është zëvendësuar me gjobë në shumën prej 200 euro.
Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, ky aktgjykim është shpallur nga gjykatësja e Gjykatës Themelore në Gjilan, dega në Viti, Drane Simani.
Në aktgjykim thuhet se të akuzuarit Z.D., dënimi prej 1 muaj burg efektiv me pëlqimin e tij i është zëvendësuar në dënim me gjobë në shumë prej 200 euro, të cilën është i obliguar ta paguajë nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Po ashtu, të akuzuarit në emër të paushallit gjyqësor janë të obliguar të paguajmë shumën prej 20 euro secili veç e veç.
Sipas gjykatëses Simani, i dëmtuari për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest civil.
Ndryshe, në seancën e mbajtur më 7 korrik 2022, dy të akuzuarit e kishin pranuar fajësinë për veprat penale që iu viheshin në barrë.
Sipas aktakuzës së ngritur më 29 qershor 2022, nga Prokuroria Themelore në Gjilan, B.R. akuzohej se më 17 janar 2022, rreth orës 08:02 min , në Kllokot, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete apo për tjetrin, ka kryer vjedhje në dëm të të dëmtuarit A.Z., në atë mënyrë që hyn në garazhin e të dëmtuarit dhe nga aty e vjedh veturën e markës “Opel Vectra” dhe me të njëjtën largohet në drejtim të Ferizajt, ku edhe e shet.
Me ç’rast, thuhet se i pandehuri me veprimet e tillë, të dëmtuarit i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 1 mijë euro.
Më këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Vjedhje” nga neni 313, paragrafi 1 të KPRK-së.
Tutje, sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, Z.D. akuzohej se më 17 janar 2022 me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm pasuror për vete apo për dikë kënd, ka blerë pasurinë e cila është përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme.
Aktakuza thotë se i njëjti, nga i i pandehuri B.R. e blen veturën e markës “Opel Vectra”, në shumë prej 150 euro, edhe pse nga vlera e blerjes ka mundur ta dijë se e njëjta është përfituar me kryerjen e veprës penale, kështu që i pandehuri me veprimet e tij të dëmtuarit A.Z., i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 1 mijë euro
Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” nga neni 333, paragrafi 2 të KPRK-së.