Njëri prej anëtarëve të familjes Gashi, që ka dashur të mbetet anonim, është prononcuar lidhur me vrasjen e trefishtë në Majac të Podujevës, që tronditi opinonin.
Ai ka mohuar disa prej versioneve që janë raportuar që nga mbrëmja e së dielës, kur edhe ka ndodhur rasti.
I njëjti ka thënë se si familje asnjëherë nuk kanë pasur telashe, derisa ka shtuar se nuk kanë qenë në dijeni për lidhjen e të dyshuarës, Ardita Gashi, me tashmë të ndjerin, Ilaz Brahimi, 45-vjeçar nga Obiliqi.
Familjari ka dhënë detaje tjera lidhur me momentin kur më pas e dyshuara, pas aktit, ishte mbyllur në dhomë.
“Pasi e ka gjuajtur atë djalin, ka shku te inxhja Miradi. Ajo ka qenë bashkë me renë dhe tre fëmijët. [Ardita] iu ka thënë të dalin jashtë sepse ka me bisedu diçka me inxhen. Si kanë dalë nga dhoma, është dëgju krisma. Ne kemi vrapu menjëherë, e ajo është mbyll në dhomë të fëmijëve. Kur ka tentu me hy vëllai, ajo ia ka drejtuar vetes armën dhe i ka thënë largohu se të vrasë edhe ty”, u shpreh ai për Klankosova.tv.
Ai ka thënë se në rastin tragjik, 31-vjeçarja ka përdorur revole, duke hedhur poshtë pretendimet se e dyshuara ka qëlluar në drejtim të Brahimit dhe gruas së axhës me armë automatike.
Mbrëmjen e 22 marsit, 31-vjeçarja, Ardita Gashi dyshohet se privoi nga jeta Ilaz Brahimin, kurse e plagosur kishte mbetur edhe Miradije Gashin, por e cila vdiq më pas mëngjesin e së hënës, derisa po trajtohej në QKUK.
Poashtu, edhe Ardita Gashi po trajtohej në QKUK, pasi ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, si pasojë e vetëplagosjes. Por, as ajo nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe vdiq mëngjesin e së hënës.
Nga ana tjetër, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala deklaroi se gjithçka kishte nisur si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të dyshuarës kryesore dhe 45-vjeçarit.
