Incidenti me të shtëna me armë zjarri mes dy grupeve mbrëmë në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë, përfundoi me një person të plagosur. I dyshuari, Veton Gashi, i njohur si ‘Canki’ u qëllua dy herë nga grupi tjetër, teksa akoma nuk dihet motivi i tentim vrasjes. Gashi dhe një person tjetër janë arrestuar si të dyshuar për rastin, teksa dy të dyshuarit e tjerë ndodhen akoma në arrati.
Sinjali raportoi ekskluzivisht se përveç ‘Cankit’, personat e tjerë që dyshohen lidhur me këtë rast janë Lirigzon Sejdiu (i arrestuar) dhe Trim Krasniqi e Zan Zeka – që ndodhen në arrati.
Përveç Veton Gashit, i cili është emër i njohur për organet e rendit, të kaluar kriminale ka edhe i arratisuri, Trim Krasniqi.
Krasniqi ishte plagosur në muajin tetor në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, pas një konflikti me disa persona. Nga një veturë ishte gjuajtur me armë në drejtim të viktimave, ku më pas Krasniqi dyshohet se iu kishte kundërpërgjigjur palës tjetër, duke shtënë po ashtu me armë.
Kush është Leutrim Krasniqi?
Leutrim Krasniqi është një 27-vjeçar, i cili edhe më parë ka qenë i arrestuar e ndaluar, si pasojë e veprave në të cilat është përfshirë, e madje ka qëndruar edhe në burg për një kohë.
Ndër rastet e fundit ka qenë incidenti që ndodhi te kafet e vogla në Prishtinë, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri nga Krasniqi kishte mbetur i plagosur 33-vjeçari, Meriton Pajaziti.
Krasniqi kishte qëndruar në arrati për dy muaj me radhë dhe më pas në muajin gusht ishte dorëzuar në Polici. I njëjti ka qenë në kërkim, por njësitë policorë nuk kanë arritur ta arrestojnë derisa ai vendosi të paraqitet në stacion policor.
Krasniqi që dyshohet edhe për raste të tjera, të kësaj natyre, është hetuar për veprat penale “Lëndim i rëndë trupore”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.