Është njësiti i cili rrëmbeu tre zyrtarë policorë brenda territorit të Kosovës, në qershor të vitit 2023.
E muaj më vonë, njësiti “Kobra” që është në kuadër të policisë serbe, po dyshohet për trajnimin e grupeve ekstreme terroriste përgjatë kufirit të Serbisë me Kosovën.
Një gjë të tillë e thotë edhe deputeti i LVV-së, njëherësh anëtari i Komisionit për Siguri, Mefail Bajqinovci.
“Njësiti “Kobra” është ai i cili e ka bërë sulmin dhe i ka kidnapuar ata policë dhe janë informatat që ne i posedojmë, po ai njësit është njësiti më elitar i Serbisë, i cili merret me aksione dhe mendojmë që po ai njësit, mund të jetë pjesë e trajnimeve të tyre. Ai njësit është pjesë e trajnimit të terroristëve dhe ekstremistëve të cilët po tentojnë të hyjnë në Kosovë, ku kryesori është Vuçiqi”.
E deputeti nga radhët e LDK-së, Anton Quni, thotë se Serbia para çdo procesi të rëndësishëm për vendin, tenton ta destabilizojë Kosovën dhe rajonin për të krijuar disavantazhe në politikbërje, shkruan tëvë.
“Kur flasim për aktivitete paramilitare terroriste pas të cilave qëndron vet Beogradi, nuk duhej asnjëherë të përjashtohen ripërsëritjet e akteve të tilla. Gjithnjë kur janë disa procese me rëndësi të veçantë, Beogradi gjen forma që ta destabilizojë situatën për të krijuar disavantazhe për t’i matrealizuar në bisedime diplomatike dhe politike”
Kurse ish-drejtori i Policisë, konsideron se po pritet vetëm një urdhër nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të kryer sulme të ndryshme në pjesën veriore të Republikës.
“Kriminelët dhe terroristët që kanë marrë pjesë në sulmin e Banjskës janë të lirë në Serbi dhe janë duke gëzuar një mbështetje të madhe nga pushteti serb. Ju e keni parë informacione se ata janë duke u përgatitur për incidente të mundshme në Kosovë, gjë që është e mundur. Ne duhet të jemi të përgatitur si institucione të gatshëm që të mos na zënë në befasi”.
Por vlerësohet se institucionet e sigurisë e kanë rritur vigjilencën.
Kryeministri Kurti por edhe krerë të tjerë institucional të sigurisë, kanë ngritur vazhdimisht shqetësimet për sulme të mundshme nga grupet serbe në pjesën veriore të vendit.