Gjatë ditës së sotme, në Kuvendin e Kosovës janë takuar ambasadorja e Izraelit, Tamara Ziv dhe drejtori për vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën, Ambasador Dan Oryan, me anëtarët e grupit të miqësisë Kosovë-Izrael.
Lidhur me këtë takim ka reaguar ish- kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
“Njohja e pavarësisë nga Izraeli ka hapur dyer të reja bashkëpunimi midis Republikës së Kosovës dhe Izraelit. Ishte kënaqësi që t’i presim në takim së bashku me anëtarët e grupit të miqësisë Kosovë-Izrael, ambasadoren e Izraelit, znj. Tamara Ziv dhe me Drejtorin për vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën, Ambasador Dan Oryan. Takimin e filluam me urimin për festën Hanukkah dhe urova që kjo festë t’i gjej të lumtur dhe të bashkuar të gjithë besimtarët”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Hoti thekson se në këtë takim është biseduar për arritjet që kemi bërë nga njohja e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Izraeli dhe deri tek arritjet konkrete të njohjes që kanë rezultuar edhe me binjakëzim të komunave.
“Njohja nga Izraeli që është bërë gjatë qeverisjes sonë ka hapur dyer të rëndësishme për qytetarët dhe bizneset tona që të shkëmbejnë eksperienca diplomatike, shoqërore, kulturore, arsimore dhe biznesore me një shtet sikur Izraeli. Është fat për Kosovën që ka miqësi me Izraelin”, ka shkruar Hoti.