Deputetja e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka thënë se sipas informacioneve që i posedon, njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë ekziston në planin e BE-së, që u pranua të hënën nga kryeministri Albin Kurti.
Ajo tha se Kosova e pranon atë si bazë të mirë, teksa shtoi se propozimi i Bashkimit Evropian nuk e mban njohjen reciproke si term, por se njohja reciproke ekziston.
Megjithatë, ajo shtoi se nuk e di përmbajtjen e planit franko-gjerman, por se është informuar nga takimet që ka zhvilluar me kryeministrin Kurti.
“E kemi pranuar si një bazë të mirë mbi të cilën mund të ndërtohet një dialog me palën tjetër me Serbinë. U pranua dje edhe publikisht edhe nga kryeministri Kurti në takimin që pati me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak”, tha ajo në RTV Dukagjini.