Ministri për Integrime Evropiane i Serbisë, Nemanja Staroviq, ka pretenduar se 28 vende kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe se ekziston hapësirë që fushata për tërheqje të njohjeve të vazhdojë, dhe që një grup i caktuar shtetesh të ndryshojë vendimin e tyre.
“Nuk është puna ime të përmend emrat e shteteve që mund të jenë në grupin e atyre që pritet të ndryshojnë qëndrim. Kemi 28 tërheqje të njohjeve në tetë vjet, sa ka zgjatur fushata aktive, dhe besoj se ka hapësirë për bisedime me një grup të caktuar shtetesh që ky proces të vazhdojë”, ka thënë Staroviq, duke komentuar deklaratën tashmë bajate të presidentit Aleksandar Vuçiq se “së shpejti priten lajme të mira” për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.
Ai ka pretenduar “se në vitin 2017, Surinami ishte shteti i parë që tërhoqi njohjen, dhe deri në shtator të vitit 2020, kur u nënshkrua Marrëveshja e Uashingtonit, edhe 18 shtete të tjera e kishin bërë të njëjtën gjë”.
Staroviqi ka shtuar se marrëveshja e Uashingtonit parashihte një moratorium njëvjeçar për fushatën e tërheqjes së njohjeve nga ana e Serbisë, ndërsa Kosova do të ndalonte përpjekjet për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
“Ideja ishte që pas një viti, moratoriumi të zgjatej, por pala nga Prishtina nuk ishte e gatshme për këtë, dhe kur në maj 2022 aplikuan për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ne e rifilluam fushatën për tërheqje të njohjeve dhe dhjetë shtete të tjera e ndryshuan qëndrimin e tyre”, ka pretenduar ai.