Reperi i njohur, Noizy, është duke u kërkuar nga autoritetet e Kosovës.
Kjo pasi ai dyshohet se ditë më parë është përfshirë në një përleshje me grupin e tij në një diskotekë në Pejë.
Policia ende nuk ka arritur ta kap atë, derisa dje për Gazeta Enigma, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, ka ftuar qytetarët që të japin informacione mbi vendodhjen e tij dhe të dyshuarëve tjerë.
Ndërkaq gjatë ditës, është paralajmëruar se sonte këngëtari do të performojë në diskotekën “Stop” në Gjilan.
Në dijeni për rastin është edhe policia e kësaj komune.
Organet e rendit kanë paralajmëruar se atë do ta arrestojnë nëse e hasin diku.
Gazeta Enigma ka kontaktuar me zëdhënësin e policisë së Gjilanit, Ismet Hashanin dhe i njëjti ka thënë “Ju njoftojmë se personi i apostrofuar nga ana e juaj është në kërkim policor dhe i njëjti në çdo moment që do të takohet nga ana e Zyrtarëve Policor pa marrë parasysh në cilin lokacion, ai do të arrestohet dhe dorëzohet në njësitin përkatës që është në kërkim të tij”.
Dyshohet se javën e kaluar dy persona janë rrahur keq nga grupi i Noizyt, për çka edhe po kërkohet ky i fundit. /Gazeta Enigma