Nol Nushi lirohet nga akuzat për huliganizëm

Nol Nushi lirohet nga akuzat për huliganizëm

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, tani sekretar në Partinë Socialdemokrate, Nol Nushi, lidhur me akuzën për veprimet në protestën e mbajtur në nëntor të 2015-ës, saktësisht për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.

Aktgjykimi ndaj Nushit u shpall të mërkurën nga gjykatësja Donikë Shala-Abdyli.

Siç shkruan Betimi për Drejtësi, Nushi u lirua nga akuza për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, me arsyetimin se nuk është vërtetuar se ka kryer veprimet e përshkruara si në aktakuzë.

“Nga administrimi i provave në këtë shqyrtim gjyqësor, gjendja faktike e përshkruar si në pikën 1 të dispozitivit nuk është vërtetuar”, tha gjykatësja.

Ndërsa, për veprat penale  “Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, Gjykata refuzoi akuzën.

Në shpallje të aktgjykimit, Nushi nuk ishte i pranshëm.

Për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”, prokurori Valdrin Krasniqi gjatë fjalës përfundimtare më 10 mars 2025, është tërhequr nga ndjekja penale, me arsyetimin se nga provat e administruara nuk është vërtetuar se i pandehuri e ka kryer këtë vepër.

Kurse, për veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, gjyqtarja Donikë Shala-Abdyli në seancën e 7 shkurtit 2023, njoftoi se për të njëjtën ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 18 janar 2016, i akuzuari Nol Nushi ngarkohej se më 17 dhe 18 nëntor 2015, prej orës 12:00 deri rreth orës 20:00, ka marrë pjesë në turmën-protestën, e cila protestë ka eskaluar dhe përkundër faktit se forcat e rendit ishin rreshtuar dhe po mbanin situatën nën kontroll, Nushi si pjesëmarrës aktiv i protestës akuzohet se ka sulmuar seriozisht policët e Kosovës duke i goditur me gurë, kubëza betoni dhe mjete të tjera të forta.

Tutje, në aktakuzë thuhet se si pasojë e këtyre veprimeve, janë shkaktuar lëndime të rënda trupore si dhe dëme të mëdha materiale, si në pronën shoqërore edhe në prona private.

Me këtë, sipas prokurorisë, Nushi akuzohej se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” nga neni 421, par.1, dhe veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, nga neni 410, par.2 të Kodit Penal. Po ashtu, ngarkohej edhe me veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” nga neni 333, të Kodit Penal.

Related Articles