Nuk u dihet burimi e as autori, prandaj edhe quhen “non-paper”.
Sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, kjo formë përdoret për komunikim të paprotokolluar ndërmjet diplomatëve.
Dy “non-papers” tundën skenën politike kohën e fundit, që kishin të bëjnë me zgjidhjet e mundshme të dialogut Kosovë-Serbi.
“Përmes këtyre qëndrimeve të shprehura në mënyrë abstrakte matet gatishmëria e palëve se sa larg mund të shkojnë”, shpjegon Hoti.
Hoti tutje tha se plotë shtete krijojnë këso dokumente për t’i hapur rrugë proceseve të rëndësishme, duke theksuar disa të tillë kishin dalë në publik në fillim të procesit të largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.
Por sipas Hotit, këto dokumente mund të përdoren edhe për çështje më minore.
“Polonia e ka përdorur së fundmi një non-paper për shërbimet e digjitalizuara. SHBA përdor shumë shpesh non-paper për t’i dhënë ambasadorit të tyre në OKB qëndrimin e artikuluar për një çështje të caktuar”, thotë ai.